
Format dhe mjetet e reja për mbledhjen e fondeve nga OJF-të
Fondacioni KNK dhe Global Albanian Foundation organizuan workshop-in “Format dhe mjetet e reja për mbledhjen e fondeve nga OJF-të”, me pjesëmarrjen e disa prej organizatave më aktive në Bashkinë Korçë, për të prezantuar praktikat e reja dhe qasjet inovative në fundraising.
Më datë 2 Prill 2025, Fondacioni Komunitar “Korçarët Ndihmojmë Korçarët” (KNK) dhe “Global Albanian Foundation” (GAF), në bashkëpunim me organizatat jofitimprurëse që veprojnë në territorin e Bashkisë Korçë, organizuan workshop-in me temë: “Format dhe mjetet e reja për mbledhjen e fondeve nga OJF-të”.
Eventi synonte të informonte dhe fuqizonte organizatat e pranishme — ndër to Fondacioni “Emanuel”, “World Vision” (dega Korçë), Qendra MEET, Fondacioni “Lumturo Dhimbjen” (Korçë), shoqata “Korça Alpin” dhe “Qëndistaret” — mbi praktikat më të avancuara të fundraising-ut që përdoren sot në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Në prezantimin e tij, me temë “Evoluimi i veprimtarive për mbledhjen e fondeve – Praktikat më të mira ndërkombëtare”, drejtori ekzekutiv i KNK, Leonard Olli, paraqiti disa prej qasjeve më të rëndësishme globale. Ai theksoi se OJF-të në botë po eksplorojnë gjithnjë e më shumë mjete digjitale, platforma sociale, email marketing, aplikacione mobile dhe faqe interneti për të krijuar një përvojë më efikase dhe të personalizuar për donatorët.
Olli nënvizoi rëndësinë e përdorimit të analitikës së të dhënave për segmentimin e audiencave, personalizimin e mesazheve dhe rritjen e ndikimit të fushatave; rëndësinë e tregimit të fabulave përmes blogjeve dhe videove; si dhe përdorimin e Crowdfunding, Inteligjencës Artificiale, Modeleve të Investimeve me Ndikim dhe Ndërmarrjeve Sociale.
Në prezantimin tjetër, me temë “Çfarë është Platforma Zeffy – Eksperienca e GAF dhe mundësia e përdorimit të saj në Shqipëri”, Mark Kosmo, Kryetar i Bordit të GAF, shpjegoi nga Boston-i eksperiencën e tyre në përdorimin e platformave të reja për mbledhjen e fondeve. Ai theksoi se Zeffy është plotësisht falas, e thjeshtë për përdorim dhe efikase, duke mundësuar kursim të madh krahasuar me platformat e tjera të ngjashme. Kosmo theksoi gjithashtu se bashkëpunimi ndërmjet dy ose tre organizatave, për projekte të përbashkëta, është një mënyrë që rrit efikasitetin, transparencën dhe besimin e donatorëve.
Përfaqësuesit e OJF-ve të pranishëm ndanë opinionet e tyre jo vetëm për qasjet e reja ndërkombëtare, por edhe për sfidat e realitetit shqiptar. U ngrit shqetësimi se kuadri ligjor rregullator, barra fiskale dhe mungesa e incentivave frenuese ndikojnë në aftësinë e organizatave për të kontribuar më fort në komunitet.
Pjesëmarrësit ranë dakord për nevojën e ndërveprimit më të madh ndërmjet organizatave dhe për hartimin e projekteve të përbashkëta. Me asistencën e GAF & KNK, u ra dakord që të zhvillohen seanca trajnuese konkrete për zbatimin praktik të këtyre metodave.
KNK – Bashkë jemi më të fortë.