
#RrathëDhurues2025 – një udhëtim solidariteti që vazhdon
Fondacioni Komunitar “Korçarët Ndihmojmë Korçarët” mori pjesë në edicionin e 7-të të Rrathë Dhurues 2025 me projektin “Krijuesit e rinj korçarë të së ardhmes”, duke marrë mbështetje të rëndësishme nga individë, biznese dhe organizata.
#RrathëDhurues2025 shënoi një tjetër hap të rëndësishëm në ndërtimin e një kulture solidariteti dhe filantropie në vend. Fondacioni Komunitar “Korçarët Ndihmojmë Korçarët” u përzgjodh të ishte pjesë e këtij eventi me projektin “Krijuesit e rinj korçarë të së ardhmes” — një iniciativë që synon të mbështesë mbi 50 të rinj dhe më shumë se 300 anëtarë të komunitetit (prindër dhe nxënës), për t’i ndihmuar të realizojnë në praktikë idetë e tyre novatore.
Projekti synon t’u ofrojë të rinjve të moshës 14–22 vjeç mbështetje teknike dhe financiare, duke i inkurajuar të guxojnë, të ndërtojnë, të eksperimentojnë dhe të shndërrojnë idetë e tyre në projekte të prekshme.
Fondacioni shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë pjesëmarrësit e edicionit të 7-të të Rrathë Dhurues, ku individë, biznese dhe OJF kontribuojnë për të forcuar kulturën e dhurimit dhe për të mbështetur kauza me ndikim social. Falënderime të veçanta shkojnë për të gjithë ata që mbështetën financiarisht projektin tonë gjatë mbrëmjes Gala.
Një falënderim i veçantë shkon për:
Dr. Yvonne Naum, themeluese dhe mbështetëse e palodhur e Fondacionit, që me vizionin dhe bujarinë e saj ka rikthyer fuqishëm traditën e filantropisë korçare;
Global Albanians Foundation (GAF), për mbështetjen e vazhdueshme organizative, financiare dhe logjistike;
Partnerët Shqipëri, për ndihmën e jashtëzakonshme që nga dita e parë e krijimit të Fondacionit dhe për traditën e shkëlqyer të Rrathëve Dhurues.
Ky event na rikujton se mbështetja e komunitetit, bashkëpunimi dhe dhurimi janë ndër mjetet më të fuqishme për të ndërtuar një të ardhme më të bashkuar, më optimiste dhe më të dashur për brezat që vijnë.
Të gjithë së bashku ndërtojmë kulturën e dhurimit dhe transformojmë komunitetin tonë.