Kalo te përmbajtja kryesore
Projekti “Fuqizimi i Liderëve të Ardhshëm të Teknologjisë nga Korça”
23 korrik 2025

Projekti “Fuqizimi i Liderëve të Ardhshëm të Teknologjisë nga Korça”

Fondacioni KNK ka nisur projektin “Fuqizimi i Liderëve të Ardhshëm të Teknologjisë nga Korça”, duke ofruar bursa për nxënësit më të spikatur në programet inovative të teknologjisë dhe lidershipit.

Fondacioni Komunitar “Korçarët Ndihmojmë Korçarët” (KNK) ka lançuar projektin “Fuqizimi i Liderëve të Ardhshëm të Teknologjisë nga Korça”, një nismë e dedikuar për nxënësit më të talentuar në fushën e teknologjisë inovative. Ky projekt u frymëzua nga programi “Korça ICT Academy & Code for Albania”, një program 3-vjeçar kombëtar që zhvillohet nga Code.X, organizatë e themeluar nga alumni të Universitetit të Stanford-it, dhe që zbatohet në Shqipëri nga alphaPlan Center me mbështetjen e Bashkisë Korçë dhe World Vision Albania.

Duke vlerësuar rëndësinë e këtij programi për të rinjtë korçarë, si në aspektin e zhvillimit profesional ashtu edhe në nxitjen e vlerave më të mira komunitare, fondacioni ka iniciuar një nismë bursash. Për pesë nxënësit më të spikatur, KNK do të ofrojë bursa me vlerë 80,000 lekë, për të mbështetur kualifikimin e tyre të mëtejshëm.

Ky projekt u përzgjodh dhe u mbështet nga Banka Credins, e cila vuri në dispozicion platformën Smile për mbledhjen e fondeve të nevojshme: https://smile.al/.../fuqizimi-i-lidereve-te-ardhshem.../

Institucionet partnere kanë punuar intensivisht për të rritur ndërgjegjësimin publik mbi rëndësinë e dhurimeve për kauza sociale dhe për të promovuar kulturën e solidaritetit, siç theksohet edhe në njoftimin e tyre: “Bashkë mund të bëjmë një ndryshim të madh dhe të mbështesim ata që kanë më shumë nevojë.”

Në këtë iniciativë, KNK mbështetet gjithashtu nga partnerët strategjikë Global Albanians Foundation (Boston, SHBA) dhe Germin (Kosovë).

Rrënjët e këtij projekti shtrihen që në vitin 2019, kur Code.X solli në Shqipëri programin e lidershipit rinor dhe kodimit, në bashkëpunim me qendrën alphaPlan. Fillimisht programi nisi në Tiranë si pilot dhe më pas u zgjerua në programin kombëtar Code for Albania, i cili zhvillohet çdo vit në qytetin e Korçës.

Derimë sot:

  • 600 nxënës kanë marrë pjesë në program

  • 150 e kanë përfunduar me sukses

  • 100 të tjerë do diplomohen në vitin 2027

  • 100 pjesëmarrës janë në edicionin aktual

Programi nxit mendimin kritik, vetëbesimin, inovacionin komunitar dhe synon të mbyllë hendekun e mundësive për të rinjtë në Shqipëri.

Gjatë programit dyjavor në Korçë, pjesëmarrësit punojnë me instruktorë, profesionistë dhe alumni të Stanford-it, si dhe me ekspertë nga qendra të njohura teknologjike në SHBA dhe Kanada, të cilët sjellin përvojë dhe perspektivë ndërkombëtare.

Video prezantimi i projektit: https://www.instagram.com/reel/C9uB-yEuP0Y/